Mbretëresha e Popit Madonna rikthehet në fron: Ëndrra ime ishte të bëja botën të kërcejë këtë verë dhe t’u sjell njerëzve gëzim
Rikthimi i Madonna-s në majën e klasifikimeve muzikore amerikane ka qenë spektakolar, duke konfirmuar edhe një herë statusin e saj si “Mbretëresha e Popit”.
Albumi i saj i ri, “Confessions II”, i publikuar më 3 korrik nga Warner Records, debutoi menjëherë në vendin e parë të Billboard 200. Ky është albumi i 10-të i artistes që arrin majën e këtij klasifikimi prestigjioz, pas shtatë vitesh pritjeje nga fansat e saj.
Në një postim në Instagram, këngëtarja shtatë herë fituese e çmimit Grammy ndau momente nga festa e organizuar në Queens të Nju Jorkut më 11 korrik, vetëm një natë para se albumi të shpallej zyrtarisht numri një në Billboard. Në krah të saj shfaqeshin edhe bashkëpunëtorë të albumit, mes tyre producenti Stuart Price, si dhe Honey Dijon e Kaytranada.
“Fjalët nuk mund të shprehin sa mirënjohëse dhe e befasuar jam nga pritja e jashtëzakonshme që mori ‘Confessions II’”, shkroi Madonna në përshkrimin e postimit.
Ajo falënderoi fansat dhe të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij projekti, që vjen si vazhdim i albumit të saj legjendar të vitit 2005, “Confessions on a Dance Floor”.
“Sidomos fansat e mi. Dashamirësia dhe pozitiviteti i tyre janë të pabesueshme. Ende po e pickoj veten. Nuk mund ta besoj që është numri 1 në të gjithë botën. Ëndrra ime ishte të bëja botën të kërcejë këtë verë dhe t’u sjell njerëzve gëzim. Ëndrrat bëhen realitet. Faleminderit dhe shumë dashuri!”
“Confessions II” është albumi i 15-të i karrierës së ikonës së muzikës dhe përmban 16 këngë. Publikimi i tij u shoqërua edhe me një film të shkurtër me titull “Confessions II – The Film”, i cili u shfaq premierë në qershor në Festivalin e Filmit Tribeca. Filmi sjell në ekran gjashtë këngë nga albumi: “I Feel So Free”, “Good for the Soul”, “One Step Away”, “Bring Your Love”, “Danceteria” dhe “Read My Lips”.
Me këtë sukses të ri, Madonna shkruan sërish histori në industrinë muzikore. Ajo bëhet artistja e vetme që ka pasur albume numër një në pesë dekada të ndryshme, nga vitet 1980 deri në vitet 2020.
Gjithashtu, ajo barazohet me The Beatles si një nga artistet me 10 albume që kanë arritur vendin e parë si në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar.
The post Mbretëresha e Popit Madonna rikthehet në fron: Ëndrra ime ishte të bëja botën të kërcejë këtë verë dhe t’u sjell njerëzve gëzim appeared first on X-Media.
7/15/2026 8:26:21 AM