Dy fytyrat e Vuçiqit në Kiev: Serbia e vetmja që refuzoi të nënshkruajë deklaratën për Ukrainën
Serbia ishte i vetmi shtet pjesëmarrës në Samitin Ukrainë–Evropa Juglindore, të mbajtur në Kiev, që refuzoi të nënshkruajë deklaratën e përbashkët për vazhdimin e mbështetjes politike, ushtarake, financiare dhe të sigurisë ndaj Ukrainës, si dhe për rritjen e presionit ndaj Rusisë.
Në samit u miratua Deklarata e Kievit, me të cilën vendet pjesëmarrëse u zotuan të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën, të kontribuojnë në rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta dhe të intensifikojnë presionin ndaj Rusisë për t’i dhënë fund agresionit.
Deklarata e përbashkët, u nënshkrua nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe përfaqësues të Shqipërisë, Greqisë, Moldavisë, Rumanisë, Kroacisë, Sllovenisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bullgarisë.
Dokumenti, ndër të tjera, akuzon Rusinë për agresion të paligjshëm, të paprovokuar dhe të pajustifikuar kundër Ukrainës dhe bën thirrje për një përfundim të menjëhershëm të luftës, si dhe një tërheqje të plotë dhe pa kushte të trupave dhe pajisjeve ushtarake nga i gjithë territori ukrainas.
Deklarata bën thirrje për shtrëngim të mëtejshëm të sanksioneve kundër Rusisë, luftimin e “flotës në hije” ruse dhe forcimin e luftës kundër shmangies së sanksioneve ruse.
Sulmet ruse ndaj civilëve dhe infrastrukturës kritike vlerësohen si krime lufte, dhe çdo mbështetje politike, ushtarake, financiare dhe teknike për Moskën nga vendet e treta dënohet.
Nënshkruesit e deklaratës mbështetën gjithashtu përpjekjet ndërkombëtare për të ndjekur penalisht ata që janë përgjegjës për krimet e kryera në Ukrainë, përfshirë punën e Tribunalit Special për Krimin e Agresionit kundër Ukrainës.
The GeoPost
The post Dy fytyrat e Vuçiqit në Kiev: Serbia e vetmja që refuzoi të nënshkruajë deklaratën për Ukrainën appeared first on The Geopost.
7/15/2026 3:42:42 PM